Grupi Hezbollah i Libanit tha se ka lëshuar më shumë se 200 raketa dhe drone që synojnë pozicionet ushtarake izraelite, një ditë pasi komandanti i tyre i lartë Muhammad Nimah Nasser u vra nga një sulm izraelit, transmeton Gazeta Enigma.
Zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine, ka kërcënuar se do të sulmojë lokacione të reja brenda Izraelit, si pjesë e përgjigjes së grupit ndaj vrasjes nga Izraeli të një komandanti të lartë të grupit.
“Seria e përgjigjeve vazhdon me radhë dhe kjo seri do të vazhdojë të synojë vende të reja që armiku nuk e imagjinonte se do të goditeshin”, tha Safieddine, duke folur në memorialin e komandantit të lartë Muhamed Nimah Nasser.
Ndërkohë, Izraeli është kundërpërgjigjur me raketa në të paktën 10 lokacione në të gjithë Galilenë dhe lartësitë e pushtuara të Golanit, pas breshërisë së raketave dhe dronëve të Hezbollahut më herët sot. /Gazeta Enigma