Hill: Asociacioni elementi parësor në tavolinë

Hill: Asociacioni elementi parësor në tavolinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Hill është rikthyer në publik nëpërmjet një interviste në Radiotelevizionin e Serbisë.

Aty ka folur për zhvillimet e fundit ku ka theksuar se SHBA’të nuk janë prapa aksioneve të Qeverisë së Kosovës në Veri. Ndërsa ka theksuar po ashtu edhe mbështetjen e SHBA’së për dialogun edhe emisarin Miroslav Lajçak. Hill ka rikujtuar edhe çështjen e Asociacionit duke thënë se është elementi kryesor në tavolinë.

“Unë flas në përgjithësi sepse marrëdhënia jonë me Serbinë është me bazë të gjerë dhe sa më e gjerë të jetë baza aq më e gjatë do të jetë. Por sa i përket Kosovës, do t’ju përsëris se ne e mbështesim plotësisht atë që po bën Bashkimi Evropian, ne mbështesim atë që po bën z.Lajçak dhe mbështesim elementet që janë në tavolinë, elementi primar, natyrisht, është Asociacioni i komunave serbe dhe ne nuk jemi larguar nga kjo” ka thënë ai.

Tutje, diplomati amerikan ka thënë se ajo që SHBA po kërkon është suksesi në dialog, “dhe si të arrijmë sukses, qoftë përmes deklaratave publike apo më shumë gjasa përmes kanaleve tradicionale diplomatike’.

“Kjo është ajo që ne po kërkojmë – sukses përmes dialogut. Ne nuk e shohim mundësinë e përparimit nëse dialogu nuk është në qendër të atij procesi, ne nuk shohim përparim përmes veprimeve të njëanshme dhe mendoj se e kemi bërë shumë të qartë. Mendoj se e kemi thënë qartë se cila është mënyra për kryerjen e punës” ka potencuar.

Ndërsa duke u ndalur te emisari i BE’së Miroslav Lajçak, të cilit i kanë mbetur edhe disa muaj punë, Hill ka thënë se amerikanët punojnë ngushtë me të.

“Jemi shumë të afërt  me zotin Lajçak. Sapo e pashë dje( gjatë forumit të Bledit). Kemi një të dërguar të ri, Sasha Kasanof (State Department).  Ai sapo takoi z. Lajçak . Ne jemi në kontakt të ngushtë, ndajmë pikëpamjet tona dhe përpiqemi të mbështesim njëri-tjetrin”, ka thënë Hill.

Related Articles