Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit.
“Të gjithë negociatorët dhe ndërmjetësuesit, qoftë në Bashkimin Evropian, apo në Shtetet e Bashkuara, e kanë konfirmuar që ky është një obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit. Është element kyç për të ecur përpara. Pastaj vjen ajo që thuhet në planin franko-gjerman, i cili gëzon mbështetjen e BE-së. Ai përfshin ide më të gjera që do të kërkojnë pak më shumë kohë”, ka thënë Hill.
Ai i ka bërë këto deklarata në ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi në mes të Serbisë dhe Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Hill ka thënë, po ashtu, se Asociacioni nuk mund të krijohet menjëherë, duke shtuar se është e nevojshme që të punohet në disa aspekte.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka konfirmuar të ketë marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Pres të jetë një takim i mirë”, ka thënë Rashiq.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.