Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është i zhgënjyer që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk e ka shtyer vendimin për targat e Serbisë.
Hill tha se Qeveria e SHBA-ve si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë afatin, për ndërrimin e targave.
Diplomati amerikan theksoi se është i zhgënjyer që ekzekutivi kosovar nuk i zbatoi këshillat lidhur me këtë çështje.
Christopher Hill shtoi se e mirëpret vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga ana e Bashkimit Evropian.
Ai i ftoi palët që të marrin pjesë në mënyrë aktive.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se vendimi për ndërrimin e targave ilegale “PR,KM, PE, UR, DJ” në RKS do të hyjë në fuqi më 1 nëntor dhe nuk do të ketë shtyrje të afatit edhe për 10 muaj siç është kërkuar nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.