Avokati mbrojtës tani vazhdoi me pyetjet e tij rreth komunikimeve të Hillit si i dërguar amerikan në konfliktin e Kosovës.
Hill dëshmoi se ka biseduar me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.
“Ka qenë e rëndësishme të bisedonim me palët e ndryshme, të cilat do të ishin pjesë e zgjidhjes ose problemit pastaj. Kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të komunikuar me njerëzit qoftë nga pala serbe apo ajo e Kosovës”, tha ai.
I pyetur nga avokati mbrojtës se me kë kishte punuar nga pala serbe, Hill u përgjigj: “Kam punuar me presidentin Sllobodan Millosheviq dhe ekipin e tij, ku përfshiheshin ish-ministri i Jashtëm, zoti Milletinoviq”.
“Nga pala serbe ishte shumë e kufizuar, ishte kryesisht Millosheviq”.
Hill shtoi se për të ka qenë sfidë e madhe ta gjente dikë me autoritet për të biseduar në Kosovë.
“Ishte e vështirë të gjesh njerëz që flisnin me autoritet. Nuk ishte problem të gjeje dikë që jepte mendim, por ishte problem të gjeje dikë që fliste me autoritet. Një prej personave ishte natyrisht, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova”.
“Por, Rugova nuk ishte personi i vetëm me të cilin mund të komunikoje në Kosovë, sepse nuk i përfaqësonte të gjitha pikëpamjet”.
Hill: Në çështjen e Kosovës u përfshiva për herë të parë në maj ‘98
Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, e pyeti Hillin se kur ishte përfshirë për herë të parë për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë.
Hill theksoi se “jam përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998”.
“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.
Hill theksoi se në rolin e tij atëkohë i raportonte Albrightit.
