Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka theksuar sot se nuk e sheh se si zgjedhjet, qoftë në Serbi apo në SHBA, mund ta lënë anash dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ta ndalojnë atë për një periudhë të caktuar.
Hill tha se pret që dialogu të vazhdojë dhe se “duhet të shikojmë fleksibilitetin” e Beogradit dhe Prishtinës, sepse “në fund dhe në mënyrë të pashmangshme do të duhet të jetë një proces i dhënies dhe marrjes”.
“Sigurisht që nuk dua të pretendoj se nuk jemi në një sezon zgjedhor. Jemi në një sezon zgjedhor dhe sezonet zgjedhore, qoftë në Serbi apo në SHBA, gjithmonë paraqesin sfida të veçanta për politikën. Por sa i përket dialogut të Brukselit, Nuk e shoh se si ai mundet në asnjë mënyrë të qëndrojë mënjanë apo të ndalet në asnjë mënyrë”, tha Hill për Tanjug.
I pyetur nëse dialogu në dritën e zgjedhjeve do të vazhdojë me të njëjtin intensitet apo do të ndikohet ende nga procesi zgjedhor, ambasadori amerikan u përgjigj se mendon se duhet të ecim përpara.
“Mendoj se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka dalë me të vërtetë me disa ide pozitive për të dyja palët, të cilat mund të përfaqësojnë hapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Hill.
Hill vlerësoi gjithashtu si të rëndësishëm faktin që BE-ja prezantoi një plan rritjeje për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Dhe ajo që është e rëndësishme është se planet e rritjes vërtet varen nga normalizimi brenda rajonit dhe është e qartë se Serbia dhe Kosova janë të vetmet zona ku nuk ka normalizim”, tha Hill.