Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për shkak të inflacionit, buxheti i ndarë për vitin 2023 prej 3.2 miliardë eurosh, është 2.5 miliardë.
“Për shkak të inflacionit prej rreth 20 për qind për produkte të konsumit bazik, buxheti nominal për vitin 2023 prej 3.2 miliardë euro, është në fakt rreth 2.5 miliardë euro në terma realë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij, ky buxhet në terma realë është më i ulët se për vitin 2022 për së paku 300 milionë euro (sivjet ka qenë 2.8 miliardë euro).
“Krahasojeni vetë sasinë e mallrave që e keni blerë vitin e kaluar me 100 euro, me sasinë e mallrave që mund të blini sivjet me ato 100 euro. Do të vini në këtë përfundim”, ka shtuar ai.