Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të Ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se deklarimet e O’Brien duhet të merren me shumë shqetësim.
Sipas tij, ata që s’e kuptojnë se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale, nuk duhet të jenë në krye të institucioneve.
“Deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim.
Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve.
Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme.
Keq. Në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi”, shkroi Hoti.
Ndryshe, në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me qëndrimin për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai.