Hoti: Dje deputetët pranuan projektligjin për buxhetin, tejkalim i autorizimeve ligjore, Kurti e Osmani kanë hall si ta ruajnë pushtetin

Hoti: Dje deputetët pranuan projektligjin për buxhetin, tejkalim i autorizimeve ligjore, Kurti e Osmani kanë hall si ta ruajnë pushtetin

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, bëri me dije se dje deputetëve të Kuvendit i ka shkuar në adresën zyrtare projektligji për buxhetin e vitit 2026, duke thënë se ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë.

Ai akuzoi edhe kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, se është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët.

“Dje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar në adresat zyrtare Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend. Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët. Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi”.

Hoti tha se shkelja tjetër ligjore është se Projektligji i prezantuar në mbledhje të Qeverisë “është bërë nga një deputet dhe u dorëzua në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit”.

Deputeti i LDK-së tha se nuk pret nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të ndalë funksionimin “qartësisht jokushtetues” të qeverisë në detyrë dhe tha se ajo dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hallin e kanë si të ruajnë pushtetin e tyre.

“Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale, të bazuara në ligje, të organeve të sundimit të ligjit për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike. Sigurisht se nuk pres reagimin e të parës së shtetit për të ndaluar funksionimin qartësisht jo kushtetues të Qeverisë në detyrë. Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve”.

“As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin fatkeqësisht po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës. Këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave. Nuk dinë dhe nuk mund të mbijetojnë politikisht në situata të normalitetit politik, pasi situatat normale politike nuk i pranojnë mashtruesit”.

Related Articles