Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti po e sheh si të çuditshme që edhe pas tri ditësh nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit të 1500 qytetarëve në Deçan.
Lidhur më këtë, Hoti ka dhënë dy propozime.
“E çuditshme që edhe pas tri dite nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit dhe as udhezime zyrtare të qarta për qytetarët se si të veprojnë. Duhen masa të shpejta: 1. Duhet formuar ekip shëndetësore interdiciplinare për të trajtuar me urgjencë të prekurit. 2. Duhet urgjentisht të ngritet një task forcë për të gjetur shkakun e helmimit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti po ashtu u ka uruar shërim të shpejt të gjithë qytetarëve që janë prekur nga helmimi.
Që nga e shtuna mbi 1500 qytetarë nga komuna e Deçanit kanë kërkuar trajtim shëndetësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare
Dyshimet e para janë se qytetarët janë helmuar nga uji i pijshëm.
Lidhur me këtë shkak sot është deklaruar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.
Ramadani në një konferencë për media tha se deri tash analizat laboratorike nuk tregojnë se qytetarët mund të jenë të helmuar nga uji.
Ai ka thënë se aktualisht nga IKSHPK-ja po monitorohen edhe pistat e tjera të mundshme.