Hoti i reagon Osmanit: Po renditet krahas aleatit të saj, mjerim

Hoti i reagon Osmanit: Po renditet krahas aleatit të saj, mjerim

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila sot kritikoi partitë politike në vend, pasi tha se të njëjtat nuk po arrijnë marrëveshje për asnjë të interes të shtetit.

E para e shtetit iu bëri thirrje edhe mediave për “presion pozitiv” ndaj liderëve partikë, në mënyrë që projektligjet urgjente të miratohen.

Për këtë, Hoti tha se deklarimi i sotëm i të parës së shtetit “është për keqardhje”.

“Ajo e di se për tu shqyrtuar ato çështje në Kuvendin e Kosovës duhet detyrimisht të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet”, shkroi Hoti.

Ish kryeministri e akuzoi Osmanin se “po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike”.

“Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit”.

“Në anën tjetër, ajo e ka aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e thotë qartë se anëtarët e qeverisë të betuar si deputetë janë duke mbajtur postet qeveritare në mënyrë joligjore. Për këtë nuk e thotë asnjë fjalë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve”.

“Kaq për moralin politik të saj. Mjerim”, përfundoi Hoti.

Related Articles