Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ish-bashkëpartiaken e tij, presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se “do të na kushtojë fakti se kemi një presidente që nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në krye të detyrës”.
Hoti i bëri këto deklarime pasi kritikoi mënyrën e mbylljes së seancës konstituive në Parlament, duke thënë se është jokushtetuese të mos ketë një nënkryetar nga pakica serbe.
“Kushtetuta e obligon atë (Osmanin) të sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit”.
“Që nga data 26 qershor 2025, kur doli vendimi i Gjykatës Supreme, asnjë fjalë nuk e ka thënë. As tani, kur Kuvendi i Kosovës po nis funksionimin jokushtetues, nuk e dëgjojmë të thotë një fjalë”, u shpreh tutje deputeti i LDK-së.
Hoti përmendi edhe mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit.
“Jo vetëm që nuk e kryen këtë obligim, por ajo i lë edhe institucionet e tjera pa bartës, siç është rasti me mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”.