Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti, së fundmi ka diskutuar rreth Komisionit Hetimor, shkruan GazetaEnigma.
Hoti në një postim në Facebook, ka thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë elektrike duhet sa më parë t’i qartësojë se ku janë shpenzuar 100 milionë euro dhe përse është dashur të rriten tarifat me gjithë këtë subvencionim gjeneroz të Qeverisë. /GazetaEnigma
Postimi i plotë:
Avokati i Popullit vlerëson se tarifat e reja të energjisë elektrike kanë elemente diskriminuese, vlerësim ky në linjë me vendimet e organeve të drejtësisë.
Dje është publikuar Opinioni i Avokatit të Popullit, ku theksohet se subvencionimi i plotë nga Qeveria i kostos së ngritur të energjisë për konsumatorët biznesorë, por jo për konsumatorët e amvisërisë, paraqet diskriminim. Edhe pse “Opinioni i Avokatit të Popullit” nuk arrin të bëjë dallimin sa i përket funksionimit të tregut të energjisë krahasuar me tregjet e mallrave dhe shërbimeve të tjera që operojnë në kushte të konkurrencës pothuajse të plotë, ai është në linjë me vendimin e institucioneve të drejtësisë të publikuar para disa ditësh.
Komisioni Hetimor Parlamentar duhet sa më parë të qartësojë për qytetarët këto çështje:
– kronologjinë e veprimeve dhe mosveprimeve të të gjitha institucioneve përkatëse,
– ku janë shpenzuar 100 milionë euro dhe përse është dashur të rriten tarifat me gjithë këtë subvencionim gjeneroz të Qeverisë,
– të shqyrtojë me rigorozitet “pavarësinë” në vendimmarrje të ZRRE-së kur janë përcaktuar tarifat e reja,
– përse ka ndryshime substanciale në mes të “Raportit konsultativ për shqyrtimin e strukturës tarifore” të datës 17 janar 2022 dhe “Vendimit për tarifat e reja” të datës 8 shkurt 2022, pasi në raportin konsultativ propozohet rritje për 9% të tarifave, ndërkaq në vendimin për tarifa të reja është vendosur krejt tjetër gjë.