Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në vitin e katërt të mandatit të qeverisë Kurti, “do të duhej të promovohej termocentrali me gaz”.
Pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në KEK bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Hoti tha se në vend të termocentralit me gaz, “Kurti e Rizvanolli krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen”.
“Asnjë projekt madhor nuk ka nisur dhe është shkelur premtimi për energji të përballueshme”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.
“Në vitin e katërt të mandatit, do të duhej të promovohej termocentrali me gaz. Por, në vend të këtij projekti, Kryeministri e Ministrja e Ekonomisë vizitojnë KEK-un dhe krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen. Kjo është për keqardhje. Pas katër vitesh në pushtet, asnjë projekt madhor nuk ka nisur. Nuk janë kryer as projektet e nisura nga qeveria e kaluar. Premtimi që VV-Guxo u kanë dhënë qytetarëve më 14 shkurt 2021 ka qenë: “Furnizim me energji të vazhdueshme dhe të përballueshme”. Ky premtim, sikurse të gjitha premtimet e tjera, është shkelur pasi kapacitetet energjetike nuk janë rritur. Sot, Kosova nuk ka siguri energjetike, pra nuk ka energji të vazhdueshme. Çmimi i energjisë është rritur dy herë në këtë mandat, por jo pagat dhe të ardhurat e tjera, duke e shkelur kështu premtimin për energji të përballueshme”, deklaroi Hoti. /Gazeta Enigma