Anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se në zgjedhjet e 7 qeshorit, qyetarët do të vendonsinn ‘PËR’ partneritet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Ish kryeministri kujtoi dy marrëveshje të mëdha që i ka bërë më herët Kosova, për të cilat tha se janë meritë e LDK-së – Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Marrëveshja e Uashingtonit.
“Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, qeveritë e njëpasnjëshme kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet strategjik të Kosovës me aleatët perëndimorë. Në këto marrëveshje hyjnë partneritetet bilaterale, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, dhe marrëveshjet e borxhit shtetëror për projekte strategjike etj”.
“Në mesin e këtyre marrëveshjeve, dy janë kryesoret, që mund të konsiderohen marrëveshje historike pasi e kanë përcaktuar partneritetin afatgjatë të Kosovës me aleatët euro-atlantikë, e para me BE-në dhe e dyta me SHBA-në”, shkroi Hoti në një postim.
“Të dyja këto marrëveshje janë realizim i vizionit të Presidentit Rugova dhe bashkëmendimtarëve të tij: Një Kosovë e integruar në BE dhe NATO, e në miqësi të përhershme me SHBA-në”, deklaroi ish deputeti.
Hoti tha se të dyja këto marrëveshje janë nënshkruar në qeveritë e udhëhequra nga LDK-ja, “sigurisht me mbështetje të fuqishme të partnerëve të koalicionit me të cilët LDK-ja ka bashkëpunuar në Qeveri në interes të shtetit të Kosovës”.
“E gjithë LDK-ja është krenare për këto arritje që ia kemi siguruar shtetit të Kosovës së bashku me partnerët e koalicionit me të cilët kemi qeverisur. Unë jam tepër krenar që kam pasur mundësi të kontribuoj në arritjen e njërës prej këtyre marrëveshjeve historike për Kosovën”.
Ai tutje kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se të dyja këto marrëveshje janë kundërshtuar nga kjo parti.
“Për të parën, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në votim në Kuvendin e Kosovës kur është ratifikuar. Megjithatë, sot Lëvizja Vetëvendosje e zbaton dhe krenohet me atë marrëveshje. Ndërkaq, të dytën, Marrëveshjen e Uashingtonit, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar në Kuvend dhe jashtë Kuvendit dhe e ka quajtur antikushtetuese. Për më tepër, ka adresuar kritika ndaj Administratës Amerikane të atëhershme të udhëhequr nga Presidenti Trump, sjellje kjo në kundërshtim me kodin diplomatik që Kosova kishte ndjekur gjithmonë karshi aleatëve strategjikë. Më vonë, kur Presidenti Trump u kthye sërish në krye të Administratës Amerikane, filluan lajkat nga qeveritarët e Kosovës. Por ishte vonë, pasi projekti i gazit ishte anuluar nga Qeveria e Kosovës, përpjekje për realizim të projekteve infrastrukturore nuk ishin bërë, nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për thellimin e partneritetit ekonomik në fushën e investimeve dhe qasjes në tregjet financiare amerikane”.
“Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të votojnë PËR partneritetin strategjik të Kosovës me BE dhe SHBA. Ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, tha në fund Hoti.
