Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është shprehur kritik sërish për qeverinë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti është shprehur se ekonomisë së Kosovës i mungojnë qindra miliona euro për shkak të siç thotë ai, të mosrealizimit të investimeve kapitale të planifikuara.
“Ekonomisë së Kosovës i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mosrealizimit të investimeve kapitale të planifikuara. Rrugët rajonale, të nisura në qeveritë paraprake, kanë mbetur në gjysmë në gjithë Kosovë. Projektet e reja të premtuara as që kanë nisur, si Aeroporti i Gjakovës, rruga për Tetovë, rruga për Plavë, hekurudha për Durrës etj”, ka shkruar ish-kryeministri.
Më tutje, Hoti ka publikuar një tabelë me anë të së cilës ka bërë një historik të realizimit të investimeve kapitale të qeverive paraprake dhe asaj sot.
“Realizimi i investimeve kapitale të kësaj qeverie është përgjysmë më i ulët se në qeveritë paraprake. Ja historiku i realizimit të investimeve kapitale në disa qeveri:
– Qeveria Mustafa (2015-2017) 19%
– Qeveria Haradinaj (2018-2019) 18%
– Pandemia covid-19 (2020) 9.7%
– Qeveria Kurti (2021-2024) 10%
* Vërejtje: realizimi për 2024 është për 9 muaj, por që nuk e ndryshon analizën në thelb edhe nëse rritet realizimi gjatë muajve të mbetur”, ka shkruar më tutje Hoti, njofton Gazeta Engma.