Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se partitë politike duhet të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjes. Hoti ka thënë se këtë e kanë detyrim duke pasur parasysh krizën politike në të cilën është futur Kosova, e ku partia e parë po dështon të formojë shumicën parlamentare.
Hoti ka potencuar se LDK-ja, në mungesë të krijimit të një shumice parlamentare dhe duke e bërë të qartë se, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të qëndrojë në opozitë pa u bërë pjesë e asnjë lloj shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar, propozim që ai thotë se kërkon konsensus nga të gjitha forcat politike, konsensus i cili Hoti thotë se duket qartë se nuk ekziston.
“Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani”, ka shkuar Hoti.
Postimi i plotë:
Krizat politike në një demokraci mund të ndodhin, por është papërgjegjësi e forcave politike nëse ato thellohen dhe zgjasin, duke krijuar kosto për çdo qytetar dhe biznes.
Pavarësisht të drejtës që ka partia e parë që del nga zgjedhjet për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe për të marrë e para mandatin për formimin e Qeverisë, institucionet e reja që duhet të dalin nga zgjedhjet nuk mund të formohen pa u siguruar shumica parlamentare. Ky është një rregull elementar i sistemit tonë kushtetues, i cili është i ngjashëm me shumicën e sistemeve kushtetuese të demokracive perëndimore.
Pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare. Rrjedhimisht, ajo duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike.
LDK-ja, në mungesë të krijimit të një shumice parlamentare dhe duke e bërë të qartë se, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të qëndrojë në opozitë pa u bërë pjesë e asnjë lloj shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar. Ky propozim kërkon konsensus nga të gjitha forcat politike, konsensus i cili duket qartë se nuk ekziston.
Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani.