Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj mbledhjes së kryesisë që ndodhi një orë më parë i kryesuar nga Dimal Basha, duke i cilësuar si “funksionim jokushtetues” veprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se pas Qeverisë, tani edhe Kuvendi i Kosovës ka nisur të funksionojë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta specifikojnë se Kuvendi i Kosovës konstituohet kur zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, duke mos lënë hapësirë për interpretim nëse ndonjëri prej tyre mungon”, ka shkruar Hoti.
Ai gjithashtu ka theksuar se Qeveria në detyrë po funksionon në mënyrë jokushtetuese që nga certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ-ja, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Supreme të 26 qershorit 2025.
“Anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë poste ministrore. Ky nuk është opinion, por fakt juridik”, ka deklaruar ai, duke përmendur se Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrit të Financave mbi këtë bazë.
“Manovrat politike jokushtetuese të një partie anarkike do të na kushtojnë”, tha më tej Hoti.