Hoti për mbetjet mortore në Hajvali: Konfirmimi vetëm pas ADN-së

Hoti për mbetjet mortore në Hajvali: Konfirmimi vetëm pas ADN-së

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se në 24 lokacione në Kosovë janë gjetur mbetje mortore që mund t`u përkasin personave nga lista e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Mbetjet eshtërore në Hajvali dyshohet të jenë të personave të zhdukur gjatë luftës. Megjithatë, Hoti ka theksuar se ky fakt nuk nënkupton domosdoshmërisht që mbetjet i përkasin personave të zhdukur, për shkak se konfirmimi përfundimtar do të bëhet vetëm pas përfundimit të analizave të ADN-së.

“Në lokacionin që po punohet aktualisht janë gjetur mbetjet mortore të katër personave. Ky nuk është lokacioni i fundit pasi kemi edhe disa të tjerë, por vjen si rezultat i disa analizave dhe raporteve edhe një bashkëpunimi të mirëfilltë që kemi me organizatat ndërkombëtare dhe Kryqin e Kuq”, ka thënë Hoti.

Ai ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët dhe familjarët, duke kërkuar që të mos nxitohet në përfundime. Hoti ka theksuar se raportimet në media kanë ngjallur shqetësime te familjarët, të cilët kanë pyetur për fatin e të afërmve të tyre.

“Ju lutem, familjarë dhe qytetarë, mos e merrni si të sigurtë që në ato lokacione janë të zhdukurit tuaj. Mbi 2500 lokacione janë gërmuar në Kosovë dhe procesi i ekspertizave kërkon kohë”, ka shtuar ai.

Hoti ka përmendur edhe faktin që gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime të shumta nga forcat serbe, duke përmendur se disa viktima janë varrosur në vende të ndryshme, madje edhe jashtë vendit. Ai ka bërë thirrje që familjarët të kenë durim për të marrë rezultatet e ekspertizave që janë në proces.

Ndërsa Kushtrim Gara tha se lokacionet ku janë gjetur mbetje mortore paraqesin sfida të mëdha për trajtim, pasi këto zona janë përdorur nga forcat serbe në përpjekjen për të fshehur gjurmët e krimeve.

Ai theksoi se mungesa e informacionit të besueshëm e bën punën më të vështirë dhe për këtë arsye çdo veprim duhet të kryhet me shumë kujdes dhe profesionalizëm për të shmangur gabimet.

Gara po ashtu bëri të ditur se ky lokacion është trajtuar edhe më parë, ku trajtimi i parë është kryer në tetor të vitit 1999.

“Megjithatë, në bazë të të dhënave të reja dhe të hollësishme, Komisioni ka konkluduar se është e nevojshme rikthimi në këtë vend për të marrë informacion shtesë dhe të dhëna plotësuese”, tha ai.

Ndërkaq, Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se dyshimet se mbetjet i përkasin periudhës së luftës së fundit janë “të bazuara”.

Related Articles