Hoti: Projektligji për çmimet tavan është i papërmirësueshëm përmes amendamenteve

Hoti: Projektligji për çmimet tavan është i papërmirësueshëm përmes amendamenteve

Me 63 vota për, Kuvendi i Kosovës më 10 prill ka miratuar në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si ligji për çmimet tavan.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili e ka kritikuar projektligjin, duke e cilësuar të papërmirësueshëm përmes amendamenteve.

Sipas Hotit, ligji i miratuar në lexim të parë nuk mund të rregullohet as me ndryshime të mundshme në Kuvend dhe, sipas tij, nuk është në përputhje me parimet e tregut të lirë.

Ai ka theksuar se masat e parapara në këtë projektligj nuk e mbrojnë konsumatorin, por përkundrazi dëmtojnë bizneset dhe nuk e arrijnë qëllimin e synuar nga Qeveria.

Hoti ka kritikuar edhe mungesën e debateve publike dhe konsultimeve me akterët ekonomikë, duke ngritur dilema për mënyrën se si, sipas tij, synohet mbrojtja e konsumatorit përmes këtij ligji.

Sipas tij, në situata të tilla ekonomike duhet të ketë ndërhyrje si në anën e kërkesës ashtu edhe në atë të ofertës, duke propozuar mbështetje për grupet më të ndjeshme të qytetarëve dhe ulje të barrës tatimore për bizneset.

Related Articles