Pas dështimit të arritjes së një marrëveshje për targat në Bruksel, ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
ipas tij qasja që ka ndjekur Qeveria e Kosovës në këtë rast nuk shpie askund. Ish – kryeministri Hoti, ka vlerësuar se do të ishte më mirë që të dëgjoheshin këshillat e SHBA-së për shtyrje të zbatimit të vendimit për targat.
“Në vend që të dëgjohen këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, negociohet me Serbinë në Bruksel!!! Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë. Tash duhet të negociohet në Bruksel për të zgjidhur problemet, e jo për të përmbyllur marrëveshjen. Kjo qasje nuk shpie askund”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij Kosova ka të drejtë kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë në veri, po se qasja që ka zgjedhur e kthen atë në dialog teknik për kthim të serbëve në institucione.
“Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve”, ka shkruar Hoti.