Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi disa gazetarë të RTK-së janë larguar nga moderimi i disa emisioneve, pasi ngritën zërin për mosekezkutimin e pagave nga Qeveria e Kosovës.
Hoti tha se Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti më parë të gjithë punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës i kishte lënë pa rroga, e tani gazetarët e këtij mediumi publik, sipas tij, po censurohen.
“Krejt stafin e RTK-së e lënë pa rroga, edhe pse e dinë se kjo situatë zgjidhet sipas praktikave të mëparshme, pa u dëmtuar asnjë cent i buxhetit nga ajo që është planifikuar për RTK-në me ligj të buxhetit. Tash i censurojnë gazetarët që e kritikojnë pushtetin, ndërkaq i favorizojnë ata që i miklojnë ministrat në intervista”, tha Hoti.
“Kjo qasje është e papranueshme, është kundër parimeve të funksionimit të mediumit publik të pavarur. Kjo qasje zbatohet në mediumet publike të regjimeve jodemokratike. Ata zyrtarë të lartë të RTK-së, që po i marrin këto vendime të marra, e dinë se po bëjnë shkelje ligjore. Çfarë zori kanë që lejojnë të instrumentalizohen në këtë mënyrë nga pushteti, do ta marrim vesh me kohë”, u shpreh tutje deputeti.