Ambasadaori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në një konferencë për media ka thënë se draft-statuti i Asociacionit që diplomatët euro-amerikanë ia kanë prezantuar kryeministrit Albin Kurti duhet ta respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës.
Hovenier theksoi se qëndrimi i SHBA-së është që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se Kushtetuta s’duhet të ndryshojë për t’i bërë vend kësaj bashkësie komunash.
“Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit”, tha Hovenier, duke shtuar se SHBA beson se drafti i propozuar “i plotëson të gjitha këto kritere”.
Ambasadori tha se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive dhe e citoi edhe Kurtin i cili tha në Kuvendin e Kosovës se një nga pikat e propozimit është se ai në çdo rast do t’i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.