Njohësi i çështjeve politike, Ylli Hoxha, thotë se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme partive për gjetjen e një kompromisi për Presidentin, por se sipas tij, është e vështirë që liderët ta arrijnë një kompromis.
“Çështja është nëse partitë politike do ta shfrytëzojnë këtë hapësirë, apo do të abuzojnë, ashtu siç e kanë abuzuar afatin paraprak. Të kuptuarit e kompromisit – pas takimeve që i kanë pasur liderët e partive – lë për të dëshiruar, pasi që qartazi, ata kompromisin e shohin vetëm si diçka në favor të tyre, dhe jo si një rrugë të ndërmjetme mes dy palëve. E shoh të vështirë arritjen e një kompromisi, nëse nuk i ndryshojnë pozicionet radikalisht, por jo edhe të pamundur”, deklaroi Hoxha për Gazetën Enigma.
