Analisti politik, Ylli Hoxha, në një prononcim për Gazetën Enigma thotë se PDK ka sjellur më së shumti emra të rinj në listën për kandidatë, çka mund të sjellë shtim të votave, por se edhe mund të ketë rreziqet e veta.
“PDK ka numër tejet të lartë të emrave të rinj, mbi 60 sosh në listë dhe po ashtu largim të kandidatëve permanent si Memli Krasniqi, Bernard Nikaj, Mimoza Ahmetaj, Zenun Pajaziti. PDK po ashtu ka ngritur në listë persona me profil profesionisteësh, si Arben Mustafa, Besa Kabashi Ramaj e të tjerë. Kjo nënkupton se PDK me Bedri Hamzen ka ndërmarrë një ndryshim të guximshëm strukturor, i cili mund t’i ketë përfitimet, por edhe rreziqet e veta”, thotë Hoxha.
Të njëjtat komente, Hoxha ka edhe për LDK-në.
“LDK po ashtu ka sjellë mbi 50 kandidatë të rinj dhe ka azhurnuar top listën e saj bazuar ne preferencat e votuesve më 9 shkurt. Kështu ke një pozicionim më të mirë të Avdullah Hotit e Hykmete Bajramit. Nga emrat e rinj shquhen profesionistë të fushave si Ermal Sadiku, Adelina Thaçi, Janina Ymeri, Gëzim Kasapolli, Hyre Tejeci, si dhe asamblist të suksesshëm, siç është Bujar Gashi, i cili ka qene personi më i votuar në Prishtinë”, shprehet analisti i njohur në studiot televizive.
Ndërkohë, sa i përket listës së VV-së, Hoxha thotë se shumica e kandidatëve janë të njëjtë.
“Lista e VV-së është më konservatore, duke pasur parasysh se numri më i madh i kandidatëve janë përsëritur nga zgjedhjet e 9 shkurtit”.
“AAK po ashtu ka shtuar numrin e kandidatëve të suksesshëm nga asambletë komunale, qartazi duke u përpjekur qe të përsëris një rezultat më të mirë të korrur në zgjedhjet lokale, sesa ato nacionale”, përfundoi Hoxha në prononcimin e tij për “Enigmën”.
