Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është dashur të konstituohej deri më 27 korrik.
Hoxha tha se aktorët e partisë me më së shumti mandate në këtë legjislaturë, Lëvizjes Vetëvendosje s’janë lodhur për të krijuar hapësira për konsensus e kompromis.
“Këtu ndodhën dy gjëra. E para që aktorët e partisë me më së shumti mandate nuk u lodhën as për t’u takuar më shpesh e as për të krijuar hapësirë për konsensus dhe kompromis që e kërkonte aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese që ishte i mëhershëm”.
“Duke i përsëritur ato seancat çdo 48 orë, erdhën në seancën e fundit ku u thye rregulli dhe ‘hajde shihemi edhe në mbrëmje’. Për çfarë, pasi nuk kishte tentativë për të lëvizur një hap me cilëndo parti politike”, tha Hoxha në “DPT te Fidani.
Tutje, ajo e komentoi edhe seancën e fundit që u mbajt në ora 22:00, përpara përfundimit të afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke e quajtur si “seancë kot”.
“Ajo seancë ishte kurrgjë, kot. Shihe orën kur e kanë thirrur dhe ndërmjet seancës që ka ndodhur gjatë ditës dhe asaj të mbrëmjes nuk ka ndodhur asgjë. Pse nuk e thërret një seancë kur nuk ke asnjë diskutim me askënd. Është shndërruar në një proces fyes dhe komplet të dëmshëm për Kosovën”, tha ajo.