Hoxhaj fajëson qeverinë pse Kosova s’u bë shtet me të drejta të plota në OIF

Hoxhaj fajëson qeverinë pse Kosova s’u bë shtet me të drejta të plota në OIF

Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se paaftësia e saj është shkak që Kosova s’ka arritur të bëhet shtet me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Frankofonisë (OIF).

Ai u shpreh krenar që gjatë mandatit të tij të parë si ministër i Jashtëm, Kosova u pranua si anëtare vëzhguese e organizatës së lartcekur.

“Krenar që gjatë mandatit tim të parë si Ministër i Jashtëm, Kosova u pranua si anëtare vëzhguese e Organizatës Botërore të Frankofonisë (OIF), para 10 vitesh, në nëntor të vitit 2014 në Senegal të Afrikës! Kjo arritje u përmbush pas një pune të madhe lobuese jashtë vendit për disa vite në Evropë, Afrikë dhe Azi, së bashku me përmbushjen e kritereve të domosdoshme brenda vendit!”, shkroi ai.

Hoxhaj thotë se ende e ka në mendje gëzimin e fitores së Kosovës kundër Serbisë, Rusisë dhe kundërshtarëve të tjerë.

“Një fitore e rëndësishme, ku Kosova, së bashku me Meksikën, u bë pjesë e kësaj organizate që ka 88 shtete anëtare me një gjeografi globale. Ende kam në mendje gëzimin e fitores sonë kundër Serbisë, Rusisë dhe kundërshtarëve të tjerë, të cilët lobonin kundër Kosovës deri në minutat e fundit para votimit dhe vendimit. 21 vende që ende nuk e kishin njohur Kosovën mbështetën anëtarësimin e saj, një fakt që bëri që presidenti i atëhershëm serb, Nikolić, të anulonte pjesëmarrjen e tij në Samit”, shkruan në postimin e  deputetit të PDK-së.

Ish-ministri i Jashtëm thotë se qeveria aktuale “ia ka humbur Kosovës jo vetëm aftësinë për ndonjë anëtarësim në ndonjë organizatë, por as nuk është në gjendje ta avancojë statusin e saj aty ku është anëtare”.

“Para disa muajsh Kosova ka kërkuar dhe aplikuar për t’u bërë shtet me të drejta të plota, meqë Frankofonia ka shtete anëtare vëzhguese, të asociuara dhe anëtare të plota. Aplikimi i Kosovës nuk ka arritur të sigurojë mbështetje në Samitin e Parisit, çka tregon se qeveria aktuale ia ka humbur Kosovës jo vetëm aftësinë për ndonjë anëtarësim në ndonjë organizatë, por as nuk është në gjendje ta avancojë statusin e saj aty ku është anëtare!”, shkroi ai.

Related Articles