Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, kandidati për deputet, Enver Hoxhaj, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, “nuk kanë pasur asnjë kontribut për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.
Ai tha se ndikim në këtë vendim të shteteve të BE-së kanë pasur liderët e partive opozitare.
“Kurti vetëm e ka parë lajmin në media që janë heqë masat, s’ka pasur ndonjë kontribut, zero. Ajo që ka ndodhur në javët e fundit është që gjermanët, austriakët dhe një grup i shteteve kanë insistuar në nivelin e COREPER-it, që është niveli i parë i vendimmarrjes ta fusin në agjendë heqjen e masave për Kosovën. Francezët dhe të tjerët kanë kundërshtuar. Çfarë ka ndodhur është më shumë meritë e opozitës, zotëri Hamza ka dërguar letër për heqjen e masave, ka dërguar letër edhe lideri i LDK-së Abdixhiku”, tha Hoxhaj.
Ish-kryediplomati tha se Kosova do duhej ta falënderonte edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili, sipas tij, ka pasur rol kyç në vendimin e BE-së për largimin e masave ndaj Kosovës.
“Por një meritë të veçantë përveç opozitës dhe zotit Hamza e ka edhe Edi Rama, i cili, në darkën e samitit Bashkim Evropian e ka bindur Macronin dhe Melonin që të hiqen masat. Fillimisht është menduar që të hiqen 50 përqind dhe falë mbështetjes së Edi Ramës është vendosur që në janar të largohen masat”, tha Hoxhaj.
