Ish-shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj ka thënë se kaosi i qëndrimeve, kërcënimet dhe një varg gabimesh të politikës së jashtme tregojnë që Kosova në diplomaci po shkon nga dështimi në dështim.
Hoxhaj thotë se për dy vjet Kosova s’ka marrë asnjë njohje të vetme, ndërkohë po merr sulme të vazhdueshme nga Serbia me pretendime për heqje të njohjeve
“Një kaos qëndrimesh, kërcënimesh dhe gabimesh i një politike të jashtme shterpe tregojnë që Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim! Për dy vjet, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të vetme! Përkundrazi, Serbia është duke e goditur kudo Kosovën. Nga goditja kundër sovranitetit të brendshëm në veri në fundvit tani po i shtohet edhe rrudhja e sovranitetit të jashtëm në fillimvit, me një listë pretendimesh për çnjohje të Kosovës! “, ka shkruar Hoxhaj.
Ai tutje shton se sa ka qenë kryediplomat, Kosovën e kanë njohur 115 shtete, dhe ka kërkuar sqarime nga krerët e shtetit nëse qëndrojnë pretendimet e Serbisë.
“Sa kam qenë Minister i Jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete, ndërsa sot, qeveria duhet te sqarojë nëse janë të vërteta pretendimet se Kosovës i janë hequr disa njohje! Ka të bejë me interesin vital të Kosovës që të tregohet nëse këto pretendime janë të vërteta dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme për këtë dështim!”, ka përfunduar Hoxhaj.