Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim i është përgjigjur thirrjes nga Qendra Operative dhe kërkesës nga Policia Rajonale e Gjilanit, për kërkimin e një personi të zhdukur nga fshati Llabjan i komunës së Novobërdës, raporton Gazeta “Enigma”.
Siç thotë kjo shoqatë, personi i humbur është Shaban Isufi, e i cili raportohet se ka probleme mendore.
“Në terren janë dislokuar njësitet e kërkim-shpëtimit, në bashkërendim me autoritetet lokale dhe Policinë e Kosovës. Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim po vazhdon operacionin në mënyrë të pandërprerë deri në gjetjen e personit të humbur”, ka thënë kjo Shoqatë.
Në lidhje me rastin edhe Policia e rajonit të Gjilanit ka dhënë detaje për Gazetën “Enigma” në lidhje me rastin.
“Me datën 15.10.2025 nga familjarët kemi pranuar njoftim se, personi Shaban (Sejdi) Isufi, mashkull kosovar, i moshës 52-vjeçare, nga fshati Llabjan i komunës së Novobërdës, që nga data 14.10.2025 është larguar nga shtëpia e tij dhe deri më tani nuk dihet për vendndodhjen e tij”.
“Pas pranimit të informatës, njësitet policore të Stacionit Policor Novobërdë, Njësiti i Hetimeve Rajonale i Drejtorisë Rajonale në Gjilan së bashku edhe me Shoqatën e Kosovës për kërkim-shpëtim janë duke zhvilluar kërkime intensive, me qëllim gjetjen e personit. Me këtë rast u bën thirrje qytetarëve që mund të kenë ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e tij, të kontaktojnë menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit 192, 0385045047095 apo në stacionin më të afërt policor”, njofton Policia.


