Një fëmijë i moshës 7-vjeçare i cili ishte lajmëruar si i humbur, në rajonin e Novobërdës, është gjetur.
Kështu ka njoftuar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, i cili tha se informatën për humbjen e fëmijës e kishin pranuar nga familjarët sot në orën 12:20.
“Fëmija kishte dalë për të luajtur në malin pranë shtëpisë dhe, sipas të gjitha gjasave, kishte humbur orientimin”, tha ShKShMK-ja.
Mes tjerash në njoftim thuhet se familjarët, së bashku me policinë, kishin kërkuar për rreth 3 orë pa sukses, duke i bërë më pas kërkesë Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës për ndihmë shtesë.
“Ekipi kujdestar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës u nis me shpejtësi dhe arriti në vendngjarje në orën 13:30”.
“Me të mbërritur, ekipi u njoftua se fëmija tashmë ishte gjetur nga familjarët dhe Policia e Kosovës, dhe po kthehej i sigurt në shtëpi. Fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime. Ky rast përfundoi pa nevojë për ndërhyrjen e ekipit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës. Fëmijës i urojmë shëndet dhe jetë të gjatë”, thuhet tutje në njoftim. /Gazeta Enigma