Janari nxori lajmin se kompozitori e dirigjenti Kristë Lekaj vdiq në moshën 85-vjeçare. Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat, poema simfonike “Trualli betohet”, “Impresione simfonike” për orkestër, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit, “Proka”, “Requiem” për kor dhe orkestër e të tjera.
Por, bota e muzikës u godit me lajmet se doajeni i muzikës popullore e qytetare, Ismet Bogujevci, dhe kompozitori Fahri Beqiri vdiqën me pak ditë diferencë, në maj. Bogujevci, i cili vdiq në moshën 69-vjeçare, aktivitetin i tij artistik e kishte nisur me shoqërinë kulturo-artistike “Josip Rela” në Podujevë. Ishte viti 1972 kur ai hyri në skenë furishëm si këngëtar, por dhe si aktor. Bogujevci ka vazhduar ndër vite aktivitetin e tij artistik në shoqërinë “Ramiz Sadiku” në Prishtinë dhe në aktivitetet që kjo shoqëri mbante në rajon. Në vitet ’90 ai ishte angazhuar si bashkëpunëtor i ansamblit “Shota”, përderisa nga viti 2000 punoi si solist në këtë institucion. Si solist muzikor, Ismet Bogujevci ka fituar një mori çmimesh, përfshirë edhe “Mikrofonin e Artë”. “Kur ta fala një tufë gërshetë”, e interpretuar në duet me Nexhmije Pagarushën, “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga” e “Bajram Curr o Bajram Curr”, janë disa prej këngëve të tij më të njohura.
E kompozitori Fahri Beqiri, i cili vdiq më 18 maj, në moshën 85-vjeçare ishte një prej themeltarëve të muzikës serioze dhe njeri që i dha finesë muzikës popullore. Sipas biografisë së tij, Fahri Beqiri është kompozitor i veprave si “Erdh misiti”, “Kënga e rinisë”, “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, “Shkoj e vij fluturim si zogu”. Krejt këto janë edhe këngë në repertorin e zhanreve të ndryshme muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Veprat e tij të shumta e poema simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike.
Me vlerë të tillë, llogaritet të jetë edhe krijimtaria e Shaqir Hotit, shpikësi i instrumenteve frymore e interpretuesi i pashoq, i cili vdiq më 10 prill në moshën 85-vjeçare. Me mjeshtërinë e tij, ia kthej Kosovës Okarinën. Hotit iu dha lamtumira si bard i muzikës popullore. Trashëgimia e tij, që përbehet nga rreth një mijë instrumente të punuara nga vetë ai, është marrë nën mbrojtje nga shteti si aset i trashëgimisë kulturore.
Midis atyre që konsiderohen prijës, ishte edhe regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Vdiq më 27 tetor në moshën 51-vjeçare, duke u angazhuar për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës. Disa shfaqje e filma mbajnë vulën e saj si krijuese. Por mbi të gjitha u çmua si gruaja e parë që ia kishte mësyrë të jetë regjisori i filmit. Kishte frymëzuar edhe shumë të tjera. E sa për sukseset e sotme në film, gratë regjisore i prijnë listës së krijuesve që ia kanë dalë të trokasin deri te çmimet “Oscar”.
Ikonat e humorit, studiuesit e gjuhës…
Në kohë të zymta ai do të ishte një prej njerëzve që mbante gjallë humorin për të argëtuar aq sa mund të argëtohej një popull që po jetonte nën regjimin e Milosheviqit në vitet ’90. Rasim Thaçi – Cima nuk ia doli të vazhdonte jetën në një tjetër kohë të pazakontë, atë të pandemisë. Vdiq më 26 mars në moshën 66-vjeçare. Si me humor, paraprakisht tha se frikësohej se nuk do t’ia dilte mbanë me koronavirusin. U kujtua si ikonë e humorit shqiptar në okupim.
Koronavirusi qe shkaktar edhe për humbjen e kantautorit të njohur shqiptar, Kujtim Prodani. Pandemia ndërpreu edhe krijimtarinë e Mustafa Arapit, mjeshtrit që i dha shkëlqim “Onufrit” e kryeveprave të tjera. Krahas humbjeve të artistëve shqiptarë, mendimi për shqiptarët e arti në përgjithësi humbi edhe me vdekjen e Jevrem Brkoviqit, shkrimtarit e akademikut malazias. Brkoviq, që vdiq në moshën 88-vjeçare, më 24 janar kishte shumë miq shqiptarë dhe është vlerësuar si shkrimtari më i mirë i Malit të Zi në shekullin XX që i kishte vënë vetes detyrë që të reagonte ndaj së keqes.
Viti 2021 do të mbahet mend edhe për vdekjen e etnologes Andromaqi Gjergjit, kitaristit virtuoz, Valton Berishës, anëtar i rock grupit të viteve ’90, “Purgatory”, bardit të polifonisë Lefter Çipës, regjisor e skenarist Kujtim Gjonajt e Agim Krajkës, maestro i avangardës në muzikën shqipe.
Profesoresha e letërsisë angleze e krijuesja Sazana Çapriqi nuk ia doli betejës me një sëmundje të rëndë. Vdiq në moshën 58-vjeçare më 19 mars. Teatri humbi aktorin nga Maqedonia që kishte arritur të ishte edhe pjesë e produksioneve turke, Luran Ahmeti, i cili vdiq në moshën 46-vjeçare, më 25 mars. Aktori Gulielm Radoja, i cili është imazh i shumë projekteve kinematografike të Shqipërisë komuniste e edhe më pas vdiq gjatë këtij viti. Personazh i njohur i kinematografisë real-socialiste ishte edhe aktori Pirro Mani. Ai vdiq në moshën 89-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me familjen e tij.
Maestrot e artit, doajenët e skenës…
Studiuesi i albanologjisë e punëtori shumëvjeçar i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, vdiq në moshën 79-vjeçare. Jo shumë i njohur për publikun e gjerë, por artistë të shumtë tek ai shihnin njeriun e vlerave të larta. Aktori i lindur në Prizren më 1947, Enver Kaçaniku, vdiq këtë vit. Përpos shfaqjeve të shumta teatrale, hyri edhe në celoluidin e kinemasë me rolet e tij në filmat “Migjeni” dhe “Si të vdiset”.
Prizreni, por edhe arti në përgjithësi, më 27 korrik humbën në moshën 80-vjeçare edhe piktorin e shquar Zef Toçi. Qysh herët krijimtaria e tij u pa jashtë vendit. Pas dy ekspozitave në Prizren, më 1966 dhe më 1967, në vitin 1968 ekspozoi në Galerinë e Arteve në Bruksel, më 1969 në Beograd, më 1971 në Qendrën e Kulturës në Mol të Sllovenisë, në Opati të Kroacisë më 1972, kur ekspozoi sërish në Bruksel.
Ish-drejtori i “Shotës”, Agron Shala, vdiq dhe nuk u kujtua me ndonjë ceremoni. Në heshtje u kalua edhe krijuesi pamor, Ymer Shaqiri, i cili jetonte në Gjermani dhe ishte prej krijuesve që kishte arritur të depërtonte në tregun e artit në vendet gjermanofolëse. Kompozitori e publicisti, Shefqet Hoxha, po ashtu vdiq në muajin gusht. Bota e muzikës humbi edhe Kujtim Aliajn, drejtues për tri dekada i Festivalit Kombëtar të Këngës për Fëmijë, i cili u bë misionari i zbulimit të talenteve të rinj për muzikë. Njihej si dirigjent, pedagog e organizator i jetës kulturore. Muzika e lehtë shqiptare ka humbur një prej artistëve që i dha zë për disa dekada. Sherif Merdani vlerësohet si një prej këngëtarëve më të zotë të këtij zhanri. Me vdekjen e tij arti shqiptar është zbehur fort.
Ai ishte 81 vjeç. Kolosi i humorit, Paulin Preka, e dramaturgu Fadil Kraja po ashtu vdiqën gjatë vitit 2021. Njëri ia takonte gjeneratës që mbante gjallë humorin edhe në kohë monizmi e tjetri kontribuonte në dramën shqipe. Me dramë ishte marrë edhe Muharrem Sylejmani. Doajeni i skenës teatrore në Gjilan vdiq në moshën 61-vjeçare. Muzika e kultura shqiptare kanë humbur edhe maestron e shquar, Riza Dolaku. Vdiq më 4 shtator në moshën 72-vjeçare. Kolegë e bashkëpunëtorë të shumtë të tij e kanë kujtuar si emër të përveçëm në muzikën shqipe, pionier në orkestrimet veçmas në rock e jazz. Me 6 tetor skena kulturore e Kosovës, humbi një pjesëtar të veçantë të saj. Meddy Huduti – fotografi që momentin e shndërronte në rrëfim – vdiq në moshën 31-vjeçare.
Muzika ka humbur edhe kompozitorin e akademikun e njohur kroat me prejardhje arbëreshe, Pavle Deshpalin, i cili vdiq më 16 dhjetor në Zagreb. Prej vitit 1980 deri në vitin 1985 ka qenë dirigjenti kryesor i Filharmonisë së Zagrebit, e prej vitit 1987 profesor i dirigjimit në Akademinë e Muzikës në Zagreb. Prej vitit 1988 ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Arteve të Kroacisë. Kantautori Pino Cacozza – i njohur me formën më të shqipëzuar edhe si Zef Kakoca – nuk i ka bërë ballë virusit COVID-19.
Sa u përket gjeneratave të vjetra që kanë lënë gjurmë në shkencë, shqiptarët kanë humbur edhe historianin e njohur e profesorin Skender Rizaj. Abdullah Kajragdiu po ashtu i takonte gjeneratës që ndikuan në arsimimin e shqiptarëve. Në moshën 84-vjeçare vdiq udhërrëfyesi për njohjen me botën e letërsisë angleze e amerikane. Ai qe zë i spikatur edhe si veprimtar politik e intelektual i shquar.
Yjet që bënë revolucion…
Në vitin 2021 bota ka humbur personalitete ikonike të artit. Jean-Paul Belmondo, një yll i padiskutueshëm i kinemasë franceze, ka vdekur në moshën 88-vjeçare, më 6 shtator. I lindur më 1933, ai ishte përfaqësues i Valës së Re të viteve ’60 dhe njëri prej aktorëve më të shquar të viteve 1960, 1970 dhe 1980. Në mesin e filmave më të mirë, në të cilët ka luajtur janë “Breathless” (1960) dhe “That Man from Rio” (1964). Larry King, prezantuesi i njohur televiziv, që kishte qenë fytyrë televizive për shumë dekada, ka vdekur në moshën 87-vjeçare, më 23 janar. Këngëtari i famshëm i muzikës jazz, Chick Corea, ka vdekur në moshën 79-vjeçare. Fituesi i çmimit “Grammy” pati një karrierë prej më shumë se pesë dekadash në industrinë e muzikës. Albumi i tij i fundit ishte publikuar në vitin 2020.
James Levine, njëri prej dirigjentëve më të njohur në botë, ka vdekur në moshën 77-vjeçare. Levine, që për 40 vjet ishte drejtor muzikor në Metropolitan Opera, New-York, u tërhoq nga skena muzikore më 2018, pasi ishte akuzuar për keqtrajtim seksual. Disenjatori izraelit, Alber Elbaz, i cili ka punuar për disa nga shtëpitë më të njohura të modës në Francë, ka vdekur në Paris, në moshën 59-vjeçare. Elbaz ishte drejtor artistik në “Lanvin” që nga viti 2001 ku ishte i caktuar për rinovimin e brendit, deri në vitin 2015 kur ishte pushuar nga puna.
Në skenë, rrezja e Christa Ludwigut ishte magjepsëse: ajo ishte në gjendje të mishëronte një dashnore të rrëmbyer rinore, një grua trimërore që lufton për të shoqin, një ngashënjyese të stërholluar, apo edhe një grua të palumtur në dashuri. Ylli i operës gjermane vdiq në shtëpinë e saj në Klosterneuburg, në Austri, në moshën 93 vjeçe, më 24 prill. Dita e 24 prillit qe e zymtë për adhuruesit e muzikës. Charlie Watts, daullisti i “Rolling Stones” që e shtyu përpara zërin e bendit për rreth 60 vjet, vdiq në moshën 80-vjeçare. Më 2016, Watts është renditur i 12-ti në listën e revistës së “Rolling Stones” për 100 daullistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.