Deputetja e Partisë Demokratike në Shqipëri, Elda Hoti, ka humbur bashkëshortin e saj, Ladi Ndoja, i cili ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare.
Lajmin e trishtë e bëri të ditur vetë deputetja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i dha lamtumirën bashkëshortit me fjalë prekëse.
“U prehsh në paqe, i miri i zemrës time! Ladi im, shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën,” shkroi ajo.
Më pas, vëllai i të ndjerit, Aleksandër Ndoja, njoftoi se Ladi Ndoja ndërroi jetë papritur si pasojë e një ataku kardiak. Ai tha se kjo humbje ka tronditur familjen, duke lënë pas bashkëshorten, deputeten Elda Hoti, dhe dy fëmijët e tyre të mitur.
Në mesazhin e tij, Aleksandër Ndoja kërkoi mirëkuptimin e miqve dhe të afërmve në këto momente të vështira, ndërsa e përmbylli me fjalët: “U prehsh në paqe, i dashur Ladi! Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona.”
Ladi Ndoja kishte qenë më herët në qendër të vëmendjes së autoriteteve. Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2025 për vepra që lidhen me krimet zgjedhore. Gjithashtu, gjatë vitit 2025 ishte arrestuar edhe në Valencia të Spanjës së bashku me një shtetas tjetër shqiptar, pasi autoritetet dyshonin se kishin përshtatur një banesë për kultivimin, përpunimin dhe shpërndarjen e kanabisit në tregun italian.
