Hungaria thotë se Shqipëria e meriton plotësisht të nisë procesin e anëtarësimit në BE

Hungaria thotë se Shqipëria e meriton plotësisht të nisë procesin e anëtarësimit në BE

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, deklaroi sot se “Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit dhe mendojmë se Shqipëria e meriton plotësisht të fillojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ministri Szijjarto tha se “për këtë arsye këtë vit Hungaria do të organizojë në Bruksel dy mbledhje të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për kapitujt dhe hapat sidomos sa i përket tre kapitujve të parë dhe cilët duhet të jenë qëllimet që duhet të arrihen nëpërmjet këtyre kapitujve lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

“Çdo vonesë e tepërt është kundër të gjithë ne dhe BE-së dhe kjo gjë jo vetëm është në dëm të interesave tona të përbashkëta, por dëmton edhe kredibilitetin e BE-së lidhur me të gjithë anëtarët e saj. Për këtë arsye mendojmë se qëllimi ynë kryesor është hapja e tre kapitujve të parë sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, citohet të ketë thënë ministri hungarez.

“Përsa i përket presidencës sonë në Bashkimin Evropian”, theksoi Szijjarto, “siç e dini shumë mirë fakti që Hungaria është në presidencën e radhës nuk është diçka që bën të lumtur të gjithë vendet anëtare të BE-së, pasi po përjetojmë disa situata ku Evropa vetë duhet të përballet me sfidat, për të cilat sa kemi kuptuar, nuk kanë gjetur akoma përgjigje, pasi nuk do të ishin më në këtë gjendje”.

“Kapaciteti komercial i Evropës ka rënë kohët e fundit dhe Hungaria mendon se ilaçi më i mirë për këtë sëmundje që po përjeton Evropa kohët e fundit është pikërisht zgjerimi duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Ministri Szijjarto tha se “Evropa ka nevojë për energji të reja, për hov të ri, rinovim dhe këto janë gjëra që ne mendojmë se mund të vijnë vetëm nëpërmjet Ballkanit Perëndimor”.

“Ne hungarezët”, vijoi ai, “jetojmë pranë Ballkanit Perëndimor, jemi fqinjët tuaj dhe sigurisht është edhe interesi ynë që paqja, zhvillimi dhe stabiliteti të jenë karakteristikë e Ballkanit Perëndimor”.

“Mendojmë që zgjerimi i Ballkani i Perëndimor do të ishte mjeti i përkryer për ta arritur këtë qëllim, por sot nuk është diçka e ekzagjeruar të themi se BE ka më tepër nevojë për vendet e Ballkanit Perëndimor sesa anasjelltas. Për këtë arsye Hungaria është një nga mbështetësit më të flaktë të zgjerimit të BE-së dhe është pikërisht një nga qëllimet tona të kemi arritje në këtë fushë dhe të nisim procesin e zgjerimit”, nënvizoi Szijjarto.

Ministri hungarez vlerësoi edhe bashkëpunimin tregtar mes dy vendeve, raporton ATSh, përcjellë Gazeta Enigma.

“Kemi pasur arritje gjigande sepse kemi tejkaluar rekordin e marrëdhënieve të tregtisë mes Shqipërisë dhe Hungarisë sa i përket vitit të kaluar edhe bashkëpunimit në fushat ekonomike”, tha ai.

Ministri Hasani, nga ana e tij, tha se Shqipëria i është shumë mirënjohëse Hungarisë dhe ministrit Szijjarto personalisht për mbështetjen e tyre.

“Hungaria ka qenë dhe mbetet vazhdimisht një avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke e konsideruar zgjerimin e BE-së në këtë pjesë të Evropës Juglindore një objektiv strategjik të politikës së saj të jashtme. Fakti që Presidenca aktuale hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj thelbësore, është treguesi më i qartë i këtij angazhimi”, ka thënë Hasani.

Related Articles