Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit zgjedhore, duke kërkuar rinumërimin e çdo vote dhe hetimin e çdo dyshimi që është ngritur lidhur me procesin, raporton Gazeta “Enigma”.
“Le të rinumërohet secila votë, le të hetohet secili dyshim, le të verifikohet çdo gjë. Ne kemi institucione të thirrura për këtë punë, andaj askush nuk duhet të frikësohet nga rinumërimi dhe hetimi,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se çdo dyshim duhet të zbardhet me shpejtësi dhe vendosmëri, pasi që vetëm kështu mund të forcohet besimi dhe integriteti i procesit zgjedhor. Sipas saj, LDK-ja e konsideron vullnetin e qytetarëve si të shenjtë dhe kushdo që ka tentuar ta devijojë atë, duhet të përballet me drejtësinë.
“Çdo dyshim duhet të zbardhet me shpejtësi dhe vendosmëri, pasi që vetëm kështu forcohet besimi dhe integriteti i procesit zgjedhor. Për LDK-në vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe kushdo që ka tentuar ta devijojë atë, vendin e ka në burg”, ka shkruar ajo.
“Të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Secili anëtar, secili përkrahës, secili votues duhet të angazhohet për të mbrojtë vlerat e LDK-së dhe për ta rikthyer atë si forcën e parë politike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit” tha ajo. /Gazeta Enigma/