Kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh anëtarë i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka thënë se rregullorja e BQK-së, për dinarin serb, e shton sundimin e ligjit në veri.
Sipas tij kjo rregullore është ligjërisht e implementueshme.
“Është një nga vendimet që e ka një lloj mekanizmi shtesë të sigurisë për të vazhduar sundimin e ligjit sidomos në veri. Rregullorja nuk nxjerrë diçka të re që nuk është ligjërisht e implementueshme”, tha ai.
I pyetur se a ka pasur koordinim Qeveria me aleatët ndërkombëtarë, Hyseni tha se nuk është i informuar saktë për këtë çështje.
Sipas tij, qëllimi i Serbisë është që përmes dinarit t’i kontrollojnë serbët lokalë të Kosovës.
“Vendimi për dinarin nuk paraqet risi. Janë folur rreth 800 milionë euro në Kosovës, që kanë qenë mjet i kontrollit dhe i pushtetit të Beogradit brenda Kosovës. Qëllimi final i ndalimit të dinarit duhet të jetë ky”, tha ai.