Hyseni tregon pse nuk ka përfunduar autostrada e Gjilanit

Hyseni tregon pse nuk ka përfunduar autostrada e Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1 ka folur për arsyet e vonesave në përfundimin e autostradës së Gjilanit, projekt ky i rëndësishëm infrastrukturor që po zvarritet prej vitesh.

Sipas tij, një pjesë e autostradës është e përfunduar, por disa llote vazhdojnë të mbesin problematike për shkak të kontratave të vjetra dhe mungesës së planifikimit teknik.

“Autostrada është 23 kilometra e gjatë, ndërsa rreth 10 kilometra prej tyre tashmë janë të asfaltuara – lloti 1 dhe 2 janë në përfundim me vetëm disa detaje të vogla që kanë mbetur. Lloti 8 është në proces, ku bëhet lidhja kryesore. Problematike janë llotet 4, 5, 6 dhe 7”, ka thënë Hyseni.

Ai ka sqaruar se kontratat e nënshkruara vite më parë tashmë janë të papërshtatshme për kushtet aktuale të tregut dhe për volumet e punës që kërkohen.

“Një nga arsyet kryesore për vonesat është se kontratat e vjetra nuk përputhen më me çmimet e reja dhe me sasinë e punëve që duhen kryer. Kemi kontrata ku ka mbetur shumë pak vlerë monetare për t’u realizuar punë të mëdha”, ka theksuar Hyseni.

Një tjetër problem, sipas tij, është mungesa e studimeve teknike në projektin fillestar, që ka ndikuar negativisht në realizimin e punimeve.

“Projekti është bërë pa shpime gjeomekanike – nuk dihet çfarë lloj dheu është nën rrugë. Kjo ka krijuar pengesa të mëdha në zbatim, dhe unë që nga fillimi kam qenë i bindur që me këto kushte projekti nuk do të përfundohet”, ka deklaruar ai.

Hyseni shtoi se autostrada është komplikuar edhe nga punë shtesë si ndërtimi i nënkalimeve dhe elementëve tjerë të infrastrukturës, që nuk ishin paraparë në fillim.

“Në këtë projekt janë shtuar edhe nënkalime dhe elementë të tjerë që kanë bërë të pamundur përfundimin e tij me kushtet aktuale”, tha Hyseni

Related Articles