Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot arrestoi një të dyshuar për spiunazh në Mitrovicë.
Sipas reporteri.net, i arrestuar është serbi Aleksandër Vlajiq.
I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit.
Vlajiq, ka aktakuzë të ngritur nga Specialja pasi bashkë me Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Miomir Vakiq, kishin kryer sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.
Sipas aktakuzës, ata kishin hedhur granata dore dhe shok bomba.
Aksioni i sotëm për arrestimin e Vlajiqit, u krye nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit.