Policia e Serbisë ka arrestuar kosovarin Abaz Beqirajn mëngjesin e kësaj të diele në kufirin Hungari – Serbi.
Lajmin e ka konfirmuar, vajza e Abazit, Melihate Beqiraj, e cila tha se babai i saj ka qenë në vizitë tek djali i tij në Gjermani ndërsa për arrestimin e tij janë njoftuar nga kompania me të cilën ishte duke u kthyer në Kosovë.
“Baba ka qenë për vizitë tek djali. Sot në 8:30 ka qenë në kufi me Hungarinë dhe Serbinë. Ka qenë t’u ardhur me autobus dhe ata na kanë lajmëruar se policia serbe na kanë arrestuar babin”, ka thënë ajo.
Mësohet se Abaz Beqiraj është nga fshati Baballoq i Deçanit.
Vajza e tij po ashtu ka thënë se familja e saj kanë tentuar të kontaktojnë edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por kjo nuk ka qenë e mundur.