I dënuari për krime lufte në Kosovë, Nebojsha Pavkoviq, u varros më 22 tetor në Rrugën e Qytetarëve Meritorë në Beograd, me nderime të larta ushtarake.
Në varrim, përveç komandës së lartë ushtarake, morën pjesë ministrat e Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesja e presidentit të Serbisë, disa të dënuar të Gjykatës së Hagës dhe veteranë të njësive ushtarake.
“Varrimi i Nebojsha Pavkoviqit në këtë vend përbën një mohimi të hapur të fakteve të vendosura nga gjykata dhe një përbuzje ndaj viktimave”, vlerësoi Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë joqeveritare.
Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.
Ai e vuajti dënimin në një burg në Finlandë.
Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Pavkoviq u lirua para kohe më 28 shtator, për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Trajtimin, pastaj, e vazhdoi në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd.
Ai vdiq më 20 tetor në moshën 79-vjeçare.
Në varrezat ku ai u varros prehen trupat e burrështetasve, shkrimtarëve, poetëve, aktorëve dhe personaliteteve të tjera që kanë kontribuar për Serbinë.
Në këto varreza është i varrosur edhe kryeministri i parë i Serbisë demokratike, Zoran Gjingjiq.
“Ky është një ofendim edhe për të gjithë ata që më parë janë varrosur në këto varreza”, tha për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm.
Kush mori pjesë në varrimin e të dënuarit për krime lufte në Kosovë?
Pavkoviq u varros me nderime ushtarake dhe në ceremoni mori pjesë edhe Garda e Ushtrisë së Serbisë.
Në ceremoninë mortore po ashtu ishin të pranishëm ministrat e Qeverisë serbe, Bratisllav Gashiq, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski dhe Nikolla Sellakoviq.
Po ashtu, në varrim mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, ish-drejtori i shërbimit të inteligjencës, Aleksandar Vulin dhe presidenti i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur, Vellko Odalloviq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dërgoi një kurorë me lule përmes këshilltares së tij Suzana Paunoviq, ndërsa në varrim ishte i pranishëm djali i tij, Danillo.
“Duke i dhënë nderime shtetërore një krimineli të dënuar të luftës, me një imazh të rremë të ‘nderit, guximit dhe shërbimit për atdheun’, pushteti shton presion mbi ‘shoqërinë e kapur’ në Serbi, veçanërisht mbi të rinjtë, për të mbrojtur ‘heronjtë që mbrojtën popullin serb’”, theksoi themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq.
Në varrim morën pjesë edhe persona të tjerë që ishin dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte gjatë luftërave në vitet ’90, sikurse Vlladimir Llazareviq, Nikolla Shainoviq dhe Vesellin Shllivanqanin.
Në varrimin e Pavkoviqit ishte edhe ish-komandanti i Brigadës së 125-të të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragan Zhivanoviq, i cili nga autoritetet në Kosovë është i akuzuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Mejë dhe fshatrat përreth Gjakovës në luftën e vitit 1999.
“Këtu kriminelët konsiderohen heronj. Kjo është një përgatitje për të indoktrinuar brezat e ardhshëm, në mënyrë që e gjithë kjo mund të përsëritet sërish”, paralajmëroi Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm.
Para varrimit, u mbajt një ceremoni përkujtimore, ku mori pjesë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, njëherësh kryenegociatori i Beogradit në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, Petar Petkoviq.
Për çfarë krimesh ishte dënuar Pavkoviq?
Nga viti 2000 deri më 2002, Pavkoviq kishte shërbyer si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave.
Më 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë, ai ishte komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave.
Në vitin 2009 u shpall fajtor në Hagë për të gjitha akuzat që e ngarkonin: dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova, në gjysmën e parë të vitit 1999.
Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.
Në maj të vitit 2022, Mekanizmi Ndërkombëtar në Hagë e hodhi poshtë kërkesën e Pavkoviqit për lirim të parakohshëm, për shkak të “peshës së madhe të krimeve të tij” dhe “mungesës së rehabilitimit”.
Aktakuza kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë u ngrit në fund të vitit 2003, dhe në vitin 2005 ai u ekstradua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burg secili, ndërsa Ojdaniq dhe Llukiq me nga 15 vjet secili.