“I dhamë ndihmën e parë”, flet arsimtari për vogëlushin që vdiq pasi ra në lumin e Gadimes

“I dhamë ndihmën e parë”, flet arsimtari për vogëlushin që vdiq pasi ra në lumin e Gadimes

Arsimtari i edukatës fizike në shkollën ku vijonte mësimin nxënësi i ndjerë Zejn Zejnullahu ka treguar për momentet dramatike pas zhdukjes së tij, një ditë para se të konfirmohej vdekja tragjike pas rënies në lumin e Gadimes.

Ai ka thënë se gjithçka ka nisur pasi mësuesja e klasës e kishte njoftuar kolektivin se Zejna nuk ishte kthyer nga mësimi.

“Në momentin që na ka lajmëru mësuesja e Zejnës në grupin ku jemi të gjithë arsimtarët, ne jemi ardhur te familjarët dhe kemi marrë vesh që Zejna nuk është kthyer prej mësimit. Unë si arsimtar i edukatës fizike e kam postuar në Facebook me i mobilizu bashkëvendasit që të dalin ta kërkojnë Zejnën dhe kemi angazhuar Shoqatën për Kërkim dhe Shpëtim ku është edhe kolegu im. Pas 20 minutave qytetarët në Gadime e kanë gjetur Zejnën”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pas gjetjes së të miturit janë bërë përpjekje të menjëhershme për t’i shpëtuar jetën.

“E kemi gjetur në Gadime të Ulët, ku unë dhe kolegu im i kemi dhënë ndihmën e parë, jemi mundu, ka pasë puls, i ka dhënë ndihmë edhe infermierja, doktori që ka qenë rastësisht aty. I kemi dhënë ndihmë deri në emergjencë, aty ka ndërruar jetë.”

Në fund, arsimtari ka thënë se Zejn Zejnullahu do të kujtohet gjithmonë si nxënës shembullor nga mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët e tij.

Related Articles