Drita ka mbetur pa trajner pasi Arsim Thaçi ka paraqitur paraditen e sotme dorëheqjen. Barazimi ndaj Dukagjinit dhe rezultatet e mëparshme në kampionat, kanë bërë që tekniku të largohet pavarësisht se skuadra e tij renditet në vendin e dytë me vetëm një pikë më pak se Ballkani.
Ditën e sotme, trajneri Mirel Josa u lakua si trajneri i ardhshëm i skuadrës së Dritës, teksa në Kosovë e bëjnë fakt të kryer që tekniku kryeqytetas do të marrë drejtimin e skuadrës nga Gjilani. Megjithatë, vetë Josa u shpreh në një prononcim për “Panorama Sport” se nuk ka pasur kontakte.
“Nuk kemi pasur kontakte me Dritën. Megjithatë, nëse do të ketë diçka, do ta shoh me qetësi”, u shpreh shkurtimisht tekniku. Pak javë më parë, Josa u largua nga drejtimi i Vllaznisë, teksa në Kosovë ka drejtuar në të shkuarën ekipin e Prishtinës.