Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Gazeta “Enigma” se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten në kuadër të një hetimi penal që po zhvillohet ndaj tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet ndaj Berishajt lidhen me tri vepra të dyshuara penale: Shpëlarje e parave, Shmangie nga tatimi, Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
”Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, thuhet në përgjigjjen e Prokurorisë Speciale për “Enigmën”.
Për çka bëhet fjalë?
Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-it – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.
Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.
Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.
Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.