Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të minierës në Stan Tërg, Bahri Karaça, ka qenë cak i një sulmi fizik mëngjesin e sotëm. Rastin e ka konfirmuar vetë drejtori Karaça, i cili tha se i dyshuari është punëtor i Trepçës.
Ndërkohë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha për Sinjalin se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
“Rreth orës 11:00, ankuesi M/K/Sh, ka raportuar se në vendin e tije të punes në zyrat e Mineres në Trepçë, është sulmuar nga i dyshuari M/K/Sh. Viktima ka kerkuar treman mjekësor. I dyshari është duke u intervistuar”, tha Zahiti.
Karaça në një prononcim për Sinjalin bëri të ditur se si pasojë e sulmit ka marrë lëndime trupore dhe për këtë ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
“Jam duke shku në Prishtinë, në Emergjencë, e konfirmoj se e kam pasë një sulm prej një personi. Ishim në Emergjencë në Mitrovicë, tash po shkojmë në Prishtinë”, tha Karaça.
Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një vërejtjeje me shkrim që i është shqiptuar të dyshuarit, i cili është punëtor në Trepçë.
“Po, po, punëtor në Trepçë. Ia kena dhanë një vërejtje me shkrim, i kena thanë që s’bon ashtu. E kemi njoftu Policinë. Ai ka ikë menjëherë, nuk e di a e kanë zanë Policia”, tha për Sinjalin U.D drejtori i minierës në Stan Tërg.