Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit, ka deklaruar se deri tani janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe, ndonëse Qeveria Kurti premtoi ndërtimin e 160 çerdheve në mandatin katër vjeçar.
Kur u pyet se sa çerdhe janë kryer, Nagavci tha se 22 çerdhe janë përuruar dhe iu është prerë shiriti, që i bjen vetëm 13.75% prej asaj që është premtuar që do të kryhen brenda një mandati qeverisës.
“Janë disa që janë në përfundim, disa prej tyre janë adoptim, disa janë çerdhe të reja. Nëse e shohim me buxhet janë diku afër 40 milionë euro. Nëse e krahasojmë me të gjitha qeveritë paraprake, për 17 vite d.m.th Ministria e Arsimit ka ndërtuar vetëm 4 çerdhe në vlerë 1.2 milionë euro, ndërkohë në mandatin tonë, pra për një mandat kemi ndërtuar 70 ose janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe.” – tha Nagavci në “Kallxo Përnime”.
Sa i përket ndërtimit të çerdheve në Prishtinë, ministrja në detyrë pretendoi se pati neglizhencë nga Komuna e Prishtinës për të lëshuar leje të ndërtimit të çerdheve.
“Kemi dërguar disa letra zyrtare, ka pasë neglizhencë të vazhdueshme në Komunën e Prishtinës në raport me investimet… Komuna e Prishtinës, ish-drejtoreshat [e Arsimit] edhe drejtorët e Urbanizmit, nuk na kanë pajisë me leje të ndërtimit në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë punimet. Pra, nuk ka asnjë kërkesë të Komunës së Prishtinës që ne nuk e kemi plotësuar” – shtoi Nagavci.
Prej 71 çerdheve në proces të ndërtimit, ajo tha se tri prej tyre janë në kryeqytet.