Kosova U-18 triumfoi në ‘FIBA European Challenger’, derisa MVP i kampionatit u shpall Visar Ejupi.
Basketbollisti i Kosovës bëri paraqitje shumë të mira në këtë turne, duke u nderuar me çmimin e lojtarit më të vlefshëm të turneut.
18-vjeçari ka folur për çmimin e fituar. “Jam i nderuar me çmimin MVP. Për këtë dua të falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerët. Mendoj se kemi luajtur një lojë ekipore dhe me meritë kemi fituar. Shënuam dy fitore bindëse në grup, ndërsa në gjysmëfinale mundëm Andorrën. Në finale ishim më të mirë, sidomos në çerekun e tretë. Të gjithë lojtarët kemi dhënë maksimumin për këtë triumf”, është shprehur Ejupi për faqen zyrtare të FBK-së.
Basketbollisti nga Rahoveci ka folur edhe për turneun në Tiranë. “Jemi shumë të lumtur për triumfin në Tiranë. Por, nuk ka qenë e rastësishme, sepse kemi punuar shumë që të fitojmë në fund. Ky është një motivim për të ardhmen. Kemi treguar se, edhe ne basketbollistët e rinj jemi të etur e të motivuar për suksese. Shpresoj se do të vazhdojmë me suksese për të ardhmen, sepse jemi një gjeneratë shumë e mirë e me lojtarë shumë të talentuar”, shtoi tutje ai.
Ejupi kishte mesatare prej 29.3 minutave për ndeshje, 17.3 pikëve, katër kërcimeve dhe 2.3 asistimeve.
Kosova në finale mundi Luksemburgun 84-58, kurse në gjysmëfinale mundi Andorrën 80-71. Në grup kishte triumfuar ndaj Shqipërisë 85-62 dhe Moldavisë 108-45.