I nxehti ekstrem, lirohen nga puna për një javë gratë shtatzëna, ndalohet ndërtimtaria nga ora 11:00 – 17:00

I nxehti ekstrem, lirohen nga puna për një javë gratë shtatzëna, ndalohet ndërtimtaria nga ora 11:00 – 17:00

Ministria e Shëndetësisë ka kufizuar orarin e punës për disa kategori punëtorësh në Kosovë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, njofton Gazeta Enigma.

MSh-ja tha se ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Kosovës.

Ministria ka urdhëruar punëdhënësit që t’i lirojnë gratë shtatzëna nga data 13 deri më 20 korrik.

Qytetarët që kanë sëmundje kronike mund të punojnë me orar të shkurtuar prej katër orësh.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë merr vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për këto kategori:

1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.

2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.

3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.

4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Tutje Ministria tha se varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht, ndërmerren masa të tjera.

MSh-ja tha se ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta. /Gazeta Enigma

Related Articles