Uran Geci, nipi i ish-deputetit të LDK-së dhe aktivistit të vjetër të kësaj partie Gani Geci, i pakënaqur me udhëheqjen e LDK-së, ka krijuar një Iniciativë Qytetare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Iniciativa Qytetare Progresi i Skënderajt do të garojë vetëm për Asamblenë Komunale.
Këtë e ka bërë të ditur vet, Uran Geci nëpërmjet një postimi ku edhe ka treguar pakënaqësitë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Të dashur miq dhe dashamir të vendit tonë Skenderajit, ju njoftoj që ne një grup të rinjësh kemi hapur një organizatë të quajtur ‘’Iniciativa Qytetare Progresi Për Skënderaj”.Duke parë neglizhencen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Adbixhiku i cili erdhi në krye të partisë me premtim për ndryshim dhe përkrahjen e të rinjëve ,mirëpo megjithatë kërkesat që ia kemi bërë shkuan në vesh të shurdhët”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se e ka nisur këtë rugëtim për një fillim të mbarë, prej zeros në dobi për qytetarëve e për të mirën e tyre.
“Lista jonë garuese për Asamble Komunale përfshin kandidatë të gjithë të diplomuar e të aftë për t’iua përfaqësuar dinjitetshëm ,të luftojnë për ju,për të drejtat e juaja. Andaj kërkojmë nga ju ,përkrahje maksimale në mënyrë që të jemi zëri juaj i pandalshëm. Më respekt Uran Geci Kreytar i Iniciativës Qytetare Progresi për Skënderaj”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se vajza e Gani Gecit, Marigona është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës.