Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se nuk e sheh si opsion dorëheqjen nga kjo komunë.
Peci, në një prononcim për Klankosova.tv, ka deklaruar se të gjitha drejtoritë kanë filluar punën, teksa shtoi se po u shërben qytetarëve pa dallim etnie.
“Realisht jemi duke vazhduar me mbajt mandatin duke i shërbyer qytetarëve pa dallim etnie. Për shembull, dje është arritur një marrëveshje me Komunën e Drenasit për bashkëpunim ndërkomunal”, u shpreh Peci.
“Kemi 11 drejtori, secila drejtori ka filluar punën e vet kështu që kemi shumë punë për të bërë, kështu që dorëheqjen se shohim si opsion”, deklaroi Peci.
Ai shtoi se punët po ecin pa probleme, teksa potencoi se në drejtoritë ka pjesëtarë edhe nga komuniteti serb.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë. Por, ai shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.
Megjithatë, BE-ja ka thënë se preferon dorëheqjen e kryetarëve në komunat veriore në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen sa më shpejt.