Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. E si pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjera, apo duke plagosur veten aksidentalisht.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur dje në fshatin Dumnicë e Poshtme në Podujevë, ku një person dyshohet se aksidentalisht ka plagosur veten.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 31-vjeçari është dërguar atje me plagë që i ishin shkaktuar nga arma dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë intervistuar 31-vjeçarin në cilësinë e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.